Komisioni Evropian uli flamujt evropianë në gjysmështizë para selisë së tij në Bruksel, në shenjë solidariteti me Poloninë pas sulmit që ndodhi të shtunën në qendër të Krakovës. Njoftimi u bë më 8 nëntor.
Në reagimin e tij, Komisioni Evropian tha: “Në solidaritet me popullin polak, flamujt evropianë para selisë sonë në Bruksel janë ulur në gjysmështizë pas ngjarjeve tragjike në Krakovë. Evropa bashkohet me Poloninë në dhimbje dhe solidaritet.”
Sulmi ndodhi të shtunën, më 7 nëntor, pak pas orës 15:00, në zonën e Sheshit Kryesor të Krakovës. Sipas Qeverisë së Polonisë, një 25-vjeçar i armatosur hyri me veturë në zonën e qytetit të vjetër dhe hapi zjarr ndaj njerëzve që ndodheshin aty.
Nëntë persona humbën jetën, ndërsa 16 të tjerë u plagosën, përfshirë edhe sulmuesin. Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, shpalli 8 dhe 9 nëntorin ditë zie kombëtare në nderim të viktimave.