Kompania me seli në Ferizaj, Sigma Crane & Transport Sh.p.k., ka reaguar pas aksidentit tragjik që i mori jetën punonjësit të saj, Ermal Sherifi. Përmes një mesazhi publik në rrjetin social Facebook, drejtuesit e kompanisë i kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, duke e cilësuar humbjen si një dhimbje të thellë për të gjithë bashkëpunëtorët.
Aksidenti ndodhi gjatë kryerjes së punimeve në Rrugën A në Prishtinë, ku si pasojë e rrëzimit të vinçit humbi jetën 26-vjeçari, ndërsa një person tjetër, 18 vjeç, mbeti i lënduar. Kompania, e cila është në pronësi të familjes Sylejmani, theksoi se po kalon momente të vështira pas kësaj ngjarjeje tragjike.
Ndërkohë, autoritetet ligjzbatuese kanë ndërmarrë veprimet e para hetimore. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se janë ndaluar tre persona në lidhje me këtë rast. Personat e ndaluar dyshohen për përfshirje në veprat penale:
• Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse
• Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës
• Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në rrëzimin e vinçit janë duke vazhduar nga organet përkatëse.