Kompleksi Sportiv Shefqet Lamçja në Elbasan është drejt përfundimit dhe pritet të ofrojë kushte funksionale dhe bashkëkohore për sportistët, sipas njoftimit të Federatës Shqiptare e Futbollit (FSHF). Këto investime synojnë të krijojnë standarde moderne, duke përfshirë fushën e re me bar natyral dhe përmirësimet në ambientet mbështetëse.
Punimet për fushën me bar natyral kanë arritur fazën përmbyllëse. Është përfunduar ndërtimi i bazamentit, si dhe instalimi i sistemit modern të drenazhimit, depozita e ujit dhe sistemit të vaditjes. FSHF njofton se muaji mars është periudha ideale për hedhjen e farës dhe mbjelljen e barit natyral, çka do të japë formën përfundimtare të fushës.
Paralelisht, Bashkia Elbasan ka investuar në përmirësimin e ambienteve të kompleksit, përfshirë dhomat e zhveshjes, të cilat tani ofrojnë kushte më funksionale dhe bashkëkohore për sportistët, duke kontribuar në përdorimin e përditshëm të impiantit.
Ky projekt është pjesë e një strategjie më të gjerë të FSHF-së për zhvillimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri, ku po punohet njëkohësisht në ndërtimin e impianteve të reja dhe modernizimin e atyre ekzistuese në disa terrene futbolli. Qëllimi kryesor është krijimi i kushteve cilësore për futbollistët dhe avancimi i futbollit shqiptar.