Komuniteti i Hasit ka ndërmarrë hapat e parë për të çuar zërin e tij pranë Komisionit të Reformës Territoriale.
Në një takim publik të zhvilluar në Tiranë, Shoqata Atdhetare Hasi dhe përfaqësues të Diasporës Hasjane argumentuan nevojën për status të veçantë bashkiak, duke theksuar vlerat historike, identitare dhe kulturore të zonës. Gjatë takimit u prezantuan materiale fotografike dhe dëshmi historike që pasqyrojnë traditën e krahinës. Mes të pranishmëve ishte ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott.
Kryetari i Shoqatës Atdhetare Hasi, Kujtim Morina, deklaroi: "Deri më tani nuk ka asnjë deklarim zyrtar për këtë bashki, por pikërisht ngaqë nuk ka deklarim zyrtar, frika ekziston. Do të ishte mëkat që gjithë ky çlirim vlerash, që shpërthejnë me energjitë më të mira, të ndërpritet".
Përfaqësuesit e diasporës ngritën shqetësimin për boshatisjen e zonës dhe sfidat territoriale. Koordinator i Diasporës Hasjane, Uran Derri, u shpreh: "Nuk dëshirojmë kurrë që Hasi të zbrazet, të dobësohet... Synimi ynë është të bëjmë gjithçka për të parandaluar largimin dhe për të përforcuar lidhjen tonë me vendlindjen".
Nisma mori mbështetje nga bashkëkryetari i reformës territoriale, Luciano Boçi. Ai deklaroi: "Ne duhet të rrisim numrin e bashkive, jo vetëm të ruajmë Hasin, por të vendosim në hartë dhe ato territore që e meritojnë, kanë identitetin e tyre historik, kulturor dhe duhet të ekzistojnë si të tilla".