Në Tiranë, më 8 maj 2026, u zhvillua koncerti "Battle of the Bands" midis grupit muzikor Flagship të Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Afrikë dhe Orkestrës së Forcave të Armatosura Shqiptare. Aktiviteti u mbajt në Korpusin Universitar dhe u zhvillua në kuadër të Javës Kulturore Amerikane.
Nancy VanHorn, E Ngarkuata me Punë e SHBA-së në Shqipëri, përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se ngjarja shënon nismën globale "Freedom 250", të nisur nga Presidenti Donald Trump për të festuar 250-vjetorin e pavarësisë amerikane, inovacionin dhe frymën e lirisë. Ajo e cilësoi nismën si ftesë për miqtë e SHBA-së në botë, përfshirë Shqipërinë, për të ndarë historinë dhe vlerat e lirisë, mundësive dhe begatisë.
Diplomatja amerikane nënvizoi se koncerti përfaqëson lidhjen e pathyeshme mes dy vendeve aleate dhe partnere strategjike. "Kjo shfaqje është më shumë se një koncert. Është një festë e lidhjes së pathyeshme midis kombeve tona, si aleatë, si miq të besuar dhe si partnerë në liri", deklaroi ajo.
Në skenë morën pjesë edhe artistët shqiptarë Renis Gjoka dhe Gjergji Kaçinari, duke krijuar një mbrëmje festive me tinguj elektrizues. VanHorn falënderoi institucionet dhe partnerët për kontributin në organizim, midis të cilëve:
- Ministria e Kulturës;
- Bashkia e Tiranës;
- Ministria e Mbrojtjes;
- Ministria e Arsimit;
- Akademia e Sigurisë;
- Universiteti i Tiranës;
- Universiteti i Arteve;
- Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF);
- Harley-Davidson.
Aktiviteti u prit si dëshmi e miqësisë së qëndrueshme mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fusha të ndryshme bashkëpunimi.