Ministria e Arsimit dhe British Council organizuan konferencën “Edukimi Pas Shkollor në Shqipëri – Politika, Standarde dhe Modele për Zhvillim Gjithëpërfshirës” më 19 mars 2026.
Gjatë konferencës, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro prezantoi vizionin e ministrisë për programin pas-shkollor, i mbështetur me një kornizë ligjore.
Ministrja Kumbaro deklaroi: “Na mbledh sot vullneti i shumë palëve i shprehur edhe më parë, përmes nismash, projektesh, përpjekjesh por mbi të gjitha përmes nevojës së nxënësve në arsimin parauniversitar, prindërve e komuniteteve në shumë bashki të vendit që programi pas-shkolle të mos mbetet një tentativë, dhe as të jetë një realitet që varet nga vullneti apo pasioni një drejtuesi shkolle dhe mësuesve, por të kthehet në një realitet që kompleton përvojën në shkollë nën vizionin dhe modelet e edukimit pas shkollor dhe zhvillimit të aftësive të shekullit 21. Kemi bërë një rrugë të gjatë deri tek rregullimi me ligj i këtij programi, i cili kaloi në Kuvend rreth dy javë më parë e që është garancia më solide që mban të forta rrënjët e këtij programi, ndërsa detyra e të gjithëve ne së bashku është ta ushqejmë e ujisim këtë sistem rrënjësh që të mos mbetet praktikë e pilotuar në 10, 20 apo 50 shkolla, por ta dëgëzojmë gradualisht në gjithë sistemin parauniversitar.”
Ajo theksoi bashkëpunimin me British Council: “Në partneritet me British Council, jemi munduar të ndërthurim përvojën tonë vendase me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ky bashkëpunim sjell në Shqipëri modele të suksesshme si programi 'Shkollat e Shekullit të 21', duke integruar në mënyrë të natyrshme zhvillimin e kompetencave digjitale, mendimin kritik dhe aftësitë që kërkon koha në të cilën jetojmë.”
Programi pas-shkollor nuk synon vetëm zgjatjen e kohës në shkollë, por krijimin e një hapësire të re mundësish për nxënësit. Kjo hapësirë ofron një mjedis të sigurt, të pasur dhe frymëzues, ku nxënësit zbulojnë talentet, zhvillojnë aftësi të reja dhe ndërtojnë një edukim social, qytetar e kreativ.