Një incident ka ndodhur në ambientet e gjimnazit në qytetin e Krumës, ku një konflikt mes dy bashkëmoshatarëve ka përfunduar me lëndimin e lehtë të njërit prej nxënësve. Sipas njoftimit të policisë, ngjarja është regjistruar gjatë paradites së të shtunës në oborrin e shkollës. Një 17-vjeçar dyshohet se ka përdorur një mjet të vogël prerës ndaj shokut të tij të klasës, gjatë një mosmarrëveshjeje për motive të dobëta.
Pas ndërhyrjes së specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has, materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme procedurale ndaj të riut. I dëmtuari ka marrë ndihmën mjekësore të nevojshme dhe më pas është kthyer në banesë.
Sipas njoftimit zyrtar, procesi hetimor është zhvilluar në prani të prindërve të të dy të miturve dhe të një psikologu, në përputhje me dispozitat ligjore për të miturit. Përveç veprimeve procedurale, rasti është trajtuar edhe nga stafi pedagogjik i shkollës, të cilët kanë bashkëpunuar me familjet e nxënësve për të menaxhuar situatën pas konfliktit.