Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, zhvilloi një takim me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot. Takimi u mbajt gjatë së enjtes, në kuadër të takimeve të para pas formimit të qeverisë së re.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), palët diskutuan forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Theks i veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare, nxitjen e investimeve, si dhe forcimit të lidhjeve kulturore dhe akademike ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Ministri Konjufca theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me Francën për realizimin e objektivave ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë avancimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE). Në komunikatën e MPJD-së thuhet se "Republika e Kosovës vlerëson partneritetin dhe përkrahjen e Francës, dhe mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve".
Ambasadori Guerot e uroi ministrin Konjufca për detyrën e re të zëvendëskryeministrit dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Francës për vazhdimin e partneritetit të ngushtë me Republikën e Kosovës.