Përfaqësuesja e Kosovës në karate e përfundoi Kampionatin Ballkanik për kadetë, juniorë dhe sportistë të kategorisë U21, të zhvilluar në Stamboll të Turqisë, me gjithsej 10 medalje: një të artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta.
Medaljen e vetme të artë e fitoi Emira Maqedonci, e cila u shpall kampione e Ballkanit në garën individuale. Tri medaljet e argjendta iu takuan Suela Arifit, Qëndresa Ibrahimit dhe Prijam Gashit.
Në garat individuale, medalje të bronzta fituan Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku. Tri medaljet e tjera të bronzta u fituan në garat ekipore, në ditën e fundit të kampionatit. Në podium u ngjitën ekipet e djemve në kategoritë e kadetëve dhe juniorëve, si dhe ekipi i vajzave kadete.
Kombëtarja e Kosovës fitoi shtatë medalje në garat individuale dhe tri në konkurrencën ekipore. Federata e Karatesë e Kosovës e vlerësoi paraqitjen si dëshmi të talentit dhe potencialit të sportistëve të rinj, ndërsa përgëzoi garuesit, trajnerët dhe ekipin për rezultatet.