Në Prishtinë u zhvillua një konferencë ndërkombëtare për nder të 15-vjetorit të Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe 5-vjetorit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) të Republikës së Kosovës.
I pranishëm në këtë ceremoni, Besnik Dervishi, President i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve për të Drejtën e Informimit dhe Aksesin në Informacion (ICIC) dhe Komisioner i Shqipërisë, vlerësoi kontributin e Kosovës. Sipas Dervishit, institucionet e Kosovës nuk janë më vetëm përfituese, por kontribuese aktive në formësimin e politikave ndërkombëtare. Ai veçoi drejtimin e Grupit të Punës për Integritetin e Informacionit nga ana e AIP-së dhe përfaqësimin e saj në Komitetin Ekzekutiv të Rrjetit Evropian për Transparencë.
Dervishi shprehu vlerësim për punën e komisioneres së AIP-së, Krenare Sogojeva Dërmaku, duke e cilësuar bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve të Shqipërisë dhe Kosovës si një model partneriteti të bazuar në besim reciprok.
Në fjalën e saj, Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës dhe kryetare e Kuvendit, nënvizoi se e drejta e qytetarëve për t'u informuar është shtyllë e demokracisë. Ajo theksoi se transparenca mundëson llogaridhënien e pushtetit dhe administrimin e përgjegjshëm të fondeve publike, ndërsa mbrojtja e privatësisë garanton sigurinë e qytetarëve.