Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra ka mësuar kundërshtarin për fazën e plejofit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, që do të zhvillohet në Brazil. Shorti i hedhur në selinë e UEFA-s ka përcaktuar Austrinë si kundërshtaren e Kosovës në raundin e parë.
Në këtë ceremoni, Federata e Futbollit e Kosovës u përfaqësua nga shefja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka, dhe trajnerja e Kombëtares A, Xhuli Berisha. Ndeshja e parë mes Kosovës dhe Austrisë është planifikuar të zhvillohet më 9 tetor në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 13 tetor në Austri.
Nëse Kosova arrin ta eliminojë Austrinë, do të kalojë në raundin e dytë (finalen e plejofit), ku do të përballet me fituesin e çiftit Izrael – Zvicër. Ndeshjet e këtij raundi janë parashikuar të zhvillohen më 1 dhe 5 dhjetor.
Ky është një moment historik për futbollin e femrave në vend, pasi është hera e parë që ekipi arrin në këtë fazë të garës. Dardanet siguruan kualifikimin në plejof pasi mbyllën ciklin në Ligën C, duke u renditur të parat në Grupin 2 me 15 pikë, po aq sa Kroacia, por me golavarazh më të mirë. Ky rezultat i ka siguruar Kosovës edhe promovimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm.