Në qershor të vitit 1999, ndërsa Kosova dilte nga lufta, NATO vendosi misionin paqeruajtës KFOR për të krijuar një mjedis të sigurt dhe për të parandaluar rikthimin e dhunës. Ky mision u bë operacioni më i madh aktiv dhe më jetëgjatë i aleancës, duke filluar me mbi 50.000 ushtarë, prej të cilëve rreth 7.000 ishin amerikanë.
Pesë muaj pas luftës, presidenti amerikan Bill Clinton vizitoi kampin Bondsteel, bazën më të madhe ushtarake të SHBA-së në Ballkan. Ai falënderoi trupat për punën e tyre: «E di se shumë nga detyrat tuaja janë ende të rrezikshme. E vlerësoj punën e palodhshme që keni bërë për të mbrojtur të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë edhe serbët. Dhe, e vlerësoj ndërmjetësimin tuaj të vazhdueshëm mes njerëzve që kanë ende një rrugë të gjatë drejt pajtimit».
Më shumë se 26 vjet më vonë, siguria në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa prania e KFOR-it është zvogëluar në rreth 4.700 trupa. Megjithatë, reduktimi i forcave nuk garanton stabilitetin e plotë.
Mungesa e pajtimit të plotë ndëretnik dhe refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës mbajnë të hapur sfidat e sigurisë. Në këtë kontekst, sinjalet për një rol më të vogël të SHBA-së në KFOR marrin peshë të veçantë.
Ndryshimet në prioritetet globale të sigurisë kanë nxitur diskutime për mundësinë e reduktimit të angazhimit amerikan, duke ngritur pyetje për të ardhmen e arkitekturës së sigurisë në Kosovë. Pentagoni i ka dhënë një përgjigje Radio Evropës së Lirë në lidhje me këto zhvillime.