Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se Kosova është rreshtuar krah shteteve që mbështesin krijimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën. Qëndrimi i qeverisë kosovare u bë i ditur gjatë një takimi informues të nivelit të lartë të organizuar nga Bordi i Paqes.
Në një deklaratë të bërë në platformën X, Konjufca nënvizoi se, ndonëse Kosova dhe Gaza ndahen nga një distancë prej më shumë se një mijë kilometrash, përgjegjësia për ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale kapërcen kufijtë gjeografikë. Ai e cilësoi angazhimin e vendit si një reflektim të zhvillimit të Kosovës pas ndërhyrjes së NATO-s 27 vjet më parë.
Sipas ministrit Konjufca, Kosova ka kaluar nga një vend që dikur kishte nevojë për mbështetje ndërkombëtare, në një shtet që sot ofron kontribut për stabilitetin global. Në përfundim të njoftimit, ai rikonfirmoi se Republika e Kosovës qëndron e gatshme të përmbushë pjesën e saj në këtë përpjekje ndërkombëtare.