Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke dërguar një shkresë zyrtare 61 bashkive të vendit. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u kërkon bashkive të përcaktojnë qendrat e votimit, që do të përdoren në pranverën e 2027-s sipas Kodit Zgjedhor.
Shkresa rikujton se qendrat e votimit duhet të vendosen në ambiente publike, kryesisht shkolla, qendra komunitare ose institucione shtetërore. Këto ambiente duhen të jenë të aksesueshme, të garantojnë neutralitet politik, qetësi dhe siguri gjatë votimit. Po ashtu, kërkohet hapësirë e mjaftueshme për dhomat e fshehta, kutitë e votimit, pajisjet teknologjike, si dhe mjedise të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, me ndriçim të duhur dhe kushte infrastrukturore që mbrojnë fshehtësinë e votës.
Bashkitë duhet të vënë në dispozicion të KQZ-së listën e ambienteve të mundshme, të sigurojnë gjendjen e tyre funksionale dhe të bashkëpunojnë për çdo ndryshim të nevojshëm. Afati për dorëzimin e listës është 10 ditë nga marrja e shkresës, duke përfshirë vlerësimin teknik dhe masat për përmirësim, veçanërisht për votuesit me aftësi të kufizuara.
Sipas Kodit Zgjedhor, periudha zgjedhore zhvillohet midis datave 15 prillit dhe 15 majit. KQZ thekson rëndësinë e këtyre standardeve për administrimin korrekt të procesit elektoral.