Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar periudha për ndryshimin e qendrës së votimit brenda komunës, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 7 qershor 2026.
Kjo periudhë zgjat 12 ditë, nga 6 maji deri më 17 maj 2026. Gjatë saj, qytetarët me të drejtë vote mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe, nëse dëshirojnë, ta ndryshojnë atë brenda komunës, duke e caktuar sa më afër vendbanimit.
Shërbimi kryhet përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org ose duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.
KQZ sqaron se ndryshimi i qendrës së votimit nga një komunë në tjetrën nuk mund të bëhet drejtpërdrejt, por lidhet me ndryshimin zyrtar të adresës së vendbanimit në Zyrën e Gjendjes Civile ose përmes platformës e-Kosova.
Ndryshimet e bëra gjatë kësaj periudhe do të reflektohen në sistemin elektronik të votimit pas përfundimit të afatit.