Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka përcaktuar ende një datë të saktë për mbledhjen e radhës, në të cilën do të certifikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se procesi zgjedhor ndodhet aktualisht në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare, të shpallura nga ky institucion më 31 janar 2026. Ai ka shpjeguar se KQZ-ja do të presë derisa vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të bëhen të plotfuqishme pas shqyrtimit në Gjykatën Supreme.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e këtyre ankesave përfundon sot. Pas këtij afati, KQZ-ja do të procedojë me certifikimin e rezultateve.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës u mbajtën para rreth 40 ditësh dhe procesi ligjor po përmbyllet gradualisht.
Përditësime
Afati për paraqitjen e ankesave në Gjykatën Supreme përfundoi një ditë më herët.
Kjo hap rrugën për certifikimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga KQZ, konstituimin e legjislaturës së re dhe fillimin e afateve për formimin e qeverisë.
Koha e saktë e certifikimit varet nga shpejtësia e Gjykatës Supreme.
- KQZ pritet të mbajë mbledhje të hënën ose të martën e javës së ardhshme për certifikimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, sipas burimeve të KQZ-së.
- Gjykata Supreme do të vendosë për 6 ankesa të paraqitura.
KQZ mbledhet sot rreth orës 18:00 për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, konfirmoi zëdhënësi Valmir Elezi për IndeksOnline.