Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho, është përballur me pyetje lidhur me dosjen e njohur si "Aruba" gjatë raportimit të tij në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Deputeti Ivi Kaso i kërkoi kreut të SPAK të bëjë publike emrat e zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët dyshohet se kanë zhvilluar takime me përfaqësues të krimit të organizuar në ishullin e Arubas gjatë muajit janar. Kaso kërkoi sqarime nëse institucioni ndihet i detyruar të njoftojë publikun për identitetin e personave në fjalë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.
Në përgjigje të këtyre kërkesave, Klodian Braho theksoi se çështja është aktualisht në hetim dhe nuk mund të ofrohen detaje konkrete në këtë fazë. Ai garantoi se SPAK nuk do të lërë asnjë provë pa shqyrtuar dhe se zbardhja e çështjes do të bëhet në momentin kur hetimet të përfundojnë. "Nuk mund të ndodhë që SPAK të ketë një provë në një dosje dhe ajo të lihet aty në gjumë e të mos hetohet. Këto që thuhen janë hamendësime. Në momentin e mbylljes së hetimeve mund të bëjmë transparencë mbi detaje të caktuara", u shpreh Braho.
Kreu i prokurorisë shtoi se SPAK nuk ndikohet nga komentet politike të asnjë pale dhe se për këtë institucion të gjithë janë të barabartë para ligjit.