Kristian Shkreli, kryebashkiaku i Bashkisë Vau i Dejës, paraqitet më 26 shkurt 2026 në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e ka marrë si të pandehur për dyshimin e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Hetimet e SPAK-ut evidentojnë se Shkreli ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore në mbështetje të Partisë Socialdemokrate (PSD).
Ai dyshohet se ka shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike. Ky investim u realizua gjatë periudhës së fushatës elektorale, ndërsa Shkreli u kërkoi banorëve të zonës të votonin për PSD.
Pas mbylljes së hetimeve, SPAK dërgoi më 23 tetor 2025 dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, në procedimin penal nr. 49/1 të vitit 2025 (i ndarë nga procedimi nr. 49 të të njëjtit vit). Shkreli akuzohet për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje", të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Hetimi u zhvillua me metoda speciale, përfshirë përgjimet e bisedave.
Një ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, celulari i Shkrelit u sekuestrua me urdhër të SPAK-ut. Atëherë, ai deklaroi për News24 se "jam i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha instancat shtetërore" dhe se "ne po bëjmë punën për të cilën na ka votuar populli".