Kristjan Shkreli, kryebashkiaku i Vaut të Dejës, paraqitet paraditen e së martës, më 12 maj 2026, në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për seancën e radhës gjyqësore.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e ka marrë Shkrelin i pandehur për korrupsion aktiv zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Hetimet e SPAK-ut evidentojnë se Shkreli ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore në mbështetje të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë (PSD). Ai dyshohet se ka shfrytëzuar pozicionin e tij publik dhe nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim të realizuar gjatë periudhës së fushatës.
Sipas provave të grumbulluara nga SPAK, përmes metodave speciale hetimore si përgjime telefonike, vëzhgime në terren dhe veprime të tjera procedurale, Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve në këmbim të votës për PSD-në. Procedimi penal nr. 49/1 i vitit 2025, i ndarë nga nr. 49/2025, u dërgua për gjykim më 23 tetor 2025.
Një ditë pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, celulari i Shkrelit u sekuestrua me urdhër të SPAK-ut.