Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti të premten pasdite në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Myftiun Naim Tërnava. Në qendër të diskutimeve ishte bashkëpunimi institucional, ecuria e projekteve të përbashkëta, si dhe çështje të solidaritetit, humanitetit qytetar dhe vlerave kombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua zhvillimeve politike, ku Myftiu Tërnava uroi kryeministrin Kurti për zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës në postin e presidentes së Kosovës. Ky zhvillim u vlerësua si një hap i domosdoshëm që shmangu zgjedhjet e katërta parlamentare brenda dy viteve dhe mundësoi rikthimin e stabilitetit institucional në vend.
Bashkëbiseduesit trajtuan gjithashtu aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Palët e cilësuan këtë aktgjykim si të padrejtë dhe të pasaktë, ndërsa u diskutuan angazhimet dhe puna që duhet realizuar për të arritur sukses në procesin e apelit.
Në përmbyllje të takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për rolin konstruktiv që Bashkësia Islame e Kosovës luan në shërbim të qytetarëve dhe për kontributin e saj të çmuar për popullin e Kosovës.