Kryeministri Edi Rama ka ndërprerë një intervistë me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, i cili ndodhej në Tiranë për të realizuar një reportazh mbi Shqipërinë për platformën mediatike Channel 5. Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimeve të publikuara nga faqja zyrtare e Channel 5 with Andrew Callaghan në rrjetet sociale, ku thuhet se intervista e plotë pritet të publikohet gjatë javës së ardhshme.
Sipas njoftimit të platformës, biseda është ndërprerë nga kryeministri përpara përfundimit të saj për shkak të tensioneve të krijuara gjatë zhvillimit të intervistës. Gazetari amerikan i drejtoi kryeministrit pyetje të drejtpërdrejta në lidhje me çështje të ndjeshme, të cilat përfshijnë investigime për korrupsionin, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës në Shqipëri.
Situata është rënduar kur Callaghan ka kërkuar sqarime specifike mbi marrëdhëniet e kryeministrit me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, si dhe mbi projektet investuese të këtij të fundit në bregdetin shqiptar.