Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për të përjavshmen gjermane Die Welt, foli mbi proceset gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë dhe zhvillimet politike në vend. Në lidhje me punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), Rama vlerësoi se shteti ka kaluar nga një sistem ku korrupsioni ishte pjesë e strukturës, në një fazë ku institucionet po e luftojnë atë. Megjithatë, kreu i qeverisë shprehu kritika lidhur me disa procedura të SPAK, duke argumentuar se ato nuk përputhen plotësisht me standardet evropiane, gjë që sipas tij ka reflektuar në normën më të lartë të të burgosurve në paraburgim në kontinent.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi përgjegjësinë politike pas arrestimit të zyrtarëve të lartë, siç është rasti i ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, kryeministri theksoi se ndihet krenar që vendi është në gjendje të mbajë njerëzit përgjegjës kudo që ndodhen. Ai vuri në dukje se që nga viti 1912, asnjë ministër në Shqipëri nuk ishte paraqitur më parë përpara një prokurori të pavarur.
Lidhur me protestat e vazhdueshme, Rama i cilësoi shqetësimet e qytetarëve si të ligjshme, por shtoi se ato nxiten nga gënjeshtra dhe teori konspirative. Ai u ndal te projekti i investimit për një resort luksoz në Zvërnec, të financuar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Kryeministri sqaroi se kontrata përfundimtare ende nuk ekziston dhe se vlerësimi i ndikimit në mjedis është proces në vazhdim. Për sa i përket qëndrimit të demokratëve amerikanë ndaj këtij investimi, Rama u ka bërë thirrje atyre të mos përdorin Shqipërinë si terren për hakmarrje politike ndaj Trumpit.