Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi përmes rrjeteve sociale përfundimin dhe testimin e mjeteve të para ushtarake të prodhuara në vend, të cilat ai i cilësoi si një arritje sipas standardeve të NATO-s. Automjetet, të ndërtuara nga kompania Timak Defence, janë dorëzuar për nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, kompania Timak Defence ka si synim plotësimin e të gjitha nevojave logjistike të ushtrisë shqiptare brenda një afati prej 30 muajsh. Kryeministri theksoi se Shqipëria ka siguruar marrëveshje për eksportin e këtyre mjeteve me 30 vende të ndryshme, duke përfshirë shtete anëtare të NATO-s, si dhe organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore.
Projekti po zhvillohet në mjediset e ish-fabrikës së Autotraktorëve dhe është pjesë e një plani ambicioz që deri në vitin 2028, ushtria shqiptare të jetë e pajisur plotësisht me mjete dhe sisteme që përputhen me standardet e aleancës.
Megjithatë, prezantimi i këtyre mjeteve u shoqërua me reagime të ndryshme në opinionin publik. Ndërsa qeveria e cilëson këtë si një moment krenarie për industrinë e mbrojtjes, një pjesë e përdoruesve në rrjetet sociale shprehën rezerva duke vënë në dukje praninë e logove të markave ndërkombëtare si Toyota dhe MAN mbi automjetet e ekspozuara. Në përgjigje të këtyre komenteve, disa zëra sqaruan se mjetet mund t'i nënshtrohen modifikimeve specifike për përdorim ushtarak, në vend që të jenë prodhime tërësisht të reja nga themelet.