Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Tushemisht me 78-vjeçarin Çelnik Shtupalli nga fshati Homçan i Pogradecit. Takimi u mundësua pasi i moshuari, i cili kishte pritur për orë të tëra jashtë rezidencës qeveritare, shprehu dëshirën për të takuar kryeministrin dhe për ta falënderuar për investimet e deritanishme në zonë.
Shtupalli, i cili qëndroi në pritje deri në përfundim të mbledhjes politike të kryeministrit, shfrytëzoi rastin për të kërkuar asfaltimin e një segmenti rrugor prej 4 kilometrash në fshatin e tij. I moshuari theksoi se rruga aktuale paraqet vështirësi për banorët e zonës, duke shprehur besimin se kërkesa e tij do të dëgjohej.
Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli. Pas ndërhyrjes së kryeministrit Rama, i cili e pyeti për realizimin e kërkesës, Xhakolli konfirmoi se projekti do të përfundojë përpara përfundimit të mandatit aktual. Pas takimit, Shtupalli u shpreh i kënaqur me reagimin e autoriteteve dhe me angazhimin e marrë për zgjidhjen e problemit të infrastrukturës në Homçan.
Përditësime
Takimi mori një ton humoristik kur Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj komplimenteve të vazhdueshme të Çelnik Shtupallit. Kryeministri i bëri shaka 78-vjeçarit duke i thënë se do ta etiketojë si 'patronazhist' nëse vijon të shprehë vlerësime të tilla.
Përtej takimit me Çelnik Shtupallin, në vilën qeveritare u regjistruan edhe takime të tjera me banorë të zonës që kishin pritur prej orëve të paradites për një komunikim me kryeministrin Edi Rama. Ndërkohë, kabineti qeveritar po zhvillon një takim informal në Pogradec për të raportuar ecurinë e punës në dikasteret përkatëse. Ky zhvillim pason mbledhjen maratonë prej 7 orësh që kryeministri Rama zhvilloi më herët me drejtuesit politikë të qarqeve.
Kryeministri Edi Rama ka zgjeruar takimet me qytetarët në Pogradec. Gjatë qëndrimit në vilën qeveritare, kreu i qeverisë zhvilloi një takim edhe me qytetarin Vasil Belba. Ky i fundit paraqiti dokumentacionin për një konflikt pronësie 35-vjeçar lidhur me shtëpinë e tij. Pas shqyrtimit të provave të dorëzuara, kryeministri Rama është zotuar për ndërhyrje institucionale për zgjidhjen e çështjes.