Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, reagoi ndaj presionit të Presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën, duke theksuar se Evropa nuk do të shantazhohet. Kjo vjen pas një deklarate të përbashkët nga tetë vende evropiane të synuara nga tarifat e paralajmëruara prej tij.
Frederiksen deklaroi se qeveria e saj ka zhvilluar "dialog intensiv" me aleatë si kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer. "Mbretëria e Danimarkës po merr mbështetje të madhe. Tani është më e qartë se kjo çështje shkon përtej kufijve tanë", tha ajo. Ajo shtoi se Evropa duhet të qëndrojë e vendosur në vlerat themelore, duke kërkuar bashkëpunim dhe jo konflikt. "Jam e kënaqur me mesazhet nga kontinenti: Evropa nuk do të shantazhohet", përfundoi ajo.
Deklarata e tetë vendeve
Tetë vendet – Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar – lëshuan një deklaratë të përbashkët ku paralajmëruan se kërcënimet me tarifa rrezikojnë një "spirale të rrezikshme përkeqësimi" të marrëdhënieve transatlantike. Ato riafirmuan solidaritetin me Danimarkën dhe popullin e Groenlandës, duke nënvizuar përkushtimin për sigurinë e Arktikut në kuadër të NATO-s. "Jemi të gatshëm për dialog të bazuar në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial", thuhet në deklaratë.
Kërcënimet e Trump
Trump deklaroi se NATO i ka kërkuar Danimarkës prej 20 vitesh të largojë "kërcënimin rus nga Groenlanda", duke shtuar se "tani është koha dhe kjo do të bëhet". Ai paralajmëroi tarifa të reja ndaj këtyre vendeve në shkurt, nëse kundërshtojnë propozimin për marrjen e Groenlandës, të cilën e konsideron kritike për sigurinë e SHBA-së. Në një postim në Truth Social, ai përsëriti se Kopenhaga "nuk ka bërë asgjë". Trump nuk ka përjashtuar mundësinë e marrjes me forcë, çka ka nxitur kritika ndërkombëtare.