Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel, të cilën e shfrytëzonte organizata BIRN.
Vendimi vjen si pasojë e qëndrimit të mbajtur nga drejtoresha e BIRN, Jeta Xharra, lidhur me profilin e rremë "Lule Gjeli", i cili ka publikuar materiale në mediat që ndërlidhen me organizatën e saj. Sipas Rama, deklarata se identiteti i personit pas këtij profili dihet, por nuk do të bëhet publik, ka ngritur shqetësime serioze.
"Jeta Xharra, nuk paske dhënë asnjë sqarim për çështjen thelbësore. Përkundrazi, reagimi si i tillë ngriti edhe më shumë pikëpyetje! Deklarata se 'e dimë kush është, por nuk e tregojmë' është pikërisht ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse identiteti dihet, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: kënd po e mbroni?", ka deklaruar Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale.
Ai ka theksuar se institucioni që drejton nuk mund të veprojë sikur nuk ka ndodhur asgjë përderisa këto pyetje mbesin pa përgjigje. Rama u shpreh se hapësirat publike janë pronë e qytetarëve të Prishtinës dhe nuk mund të shfrytëzohen nga organizata që, sipas tij, cenojnë interesin publik apo refuzojnë transparencën për çështje që lidhen drejtpërdrejt me besimin e qytetarëve.
Në lidhje me këtë vendim, kryetari i kryeqytetit ka paralajmëruar se në ditët në vijim, Komuna e Prishtinës do të rishqyrtojë edhe çdo marrëveshje tjetër për shfrytëzimin e hapësirave publike që janë ndarë dhe financuar nga Kryeqyteti.
Përditësime
Drejtuesja e BIRN, Jeta Xharra, e ka cilësuar vendimin e kryetarit Përparim Rama për ndërprerjen e bashkëpunimit si një akt hakmarrjeje politike ndaj raportimeve kritike të Kallxo.com. Sipas Xharrës, ky veprim është pasojë e publikimit të 13 artikujve në serinë 'Krypometër', të cilët trajtuan profilin e rremë 'Lule Gjeli'. Ndonëse Drejtorisë së Pronës e arsyeton largimin me mosrealizimin e dinamikës së projektit, Xharra pretendon se ky shkak është i pavërtetë, duke e lidhur përshkallëzimin e konfliktit me raportimin e debatueshëm mbi përmbytjet në rrugën 'Agim Ramadani'. Ndërkohë, Muzeu 'Reporting House' ka regjistruar mbi 23 mijë vizitorë, përfshirë nxënës nga mbarë Kosova.