Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha të hënën, më 19 tetor, se shkollat janë të hapura dhe në funksion të plotë, ndërsa mësimi ka rifilluar në mbi 1 400 shkolla në të gjithë Shqipërinë. Ajo tha se procesi mësimor po vijon normalisht, pavarësisht dëmtimeve në një pjesë të zyrave të Ministrisë së Arsimit.
Në një mesazh nga zyrat e ministrisë, Kumbaro tha se punonjësit nuk e kanë ndërprerë punën dhe kanë vijuar të punojnë fizikisht ose në internet. Sipas saj, gjatë fundjavës ministria ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me sistemin arsimor për të siguruar rifillimin e mësimit në të gjitha shkollat.
Ajo falënderoi mësuesit për përkushtimin ndaj nxënësve dhe komunikimin me prindërit. Kumbaro përmendi gjithashtu drejtuesit e shkollave, oficerët e sigurisë dhe punonjësit socialë, duke thënë se ata janë në krye të detyrës.
Ministrja u kërkoi prindërve të kenë besim te mësuesit dhe të bisedojnë me fëmijët. Ajo tha se dhuna dhe pamjet e vandalizmit në rrjetet sociale u marrin kohë fëmijëve që, sipas saj, duhet t’i kushtohet edukimit.
Kumbaro iu drejtua edhe studentëve, duke i ftuar për dialog me Ministrinë e Arsimit. Ajo tha se ka qenë në komunikim me ta, edhe individualisht, gjatë këtij viti dhe se dera e ministrisë është e hapur. Ministrja u shpreh e gatshme të ulet me studentët për të diskutuar përmirësimet që duhen bërë.