Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, kuota gjinore ka lënë jashtë Kuvendit pesë kandidatë burra, prej tyre dy nga Partia Demokratike e Kosovës, një nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një nga Lista Serbe dhe një nga KDTP-ja. Kjo masë synon të sigurojë të paktën 30% përfaqësim të grave në Parlament.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, kandidatët Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa mbeten jashtë si pasojë e kuotës, ndërsa në vend të tyre do të hyjnë Arian Musliu-Shoshi dhe Arbënore Salihu. Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi ka hyrë në Kuvend me kuotë, edhe pse kandidatë si Agim Çeku, Burim Ramadani, Arbër Tolaj, Lahi Brahimaj dhe Pal Lekaj kanë marrë më shumë vota se ajo.
Sa i përket Listës Serbe, Verica Çeraniq do të ulët në Kuvend, pavarësisht se ka më pak vota se Branislav Nikoliq. Në KDTP-në, që ka siguruar dy vende, Fatma Taçi është zgjedhur deputete, edhe pse ka më pak vota se Ergul Mazrek.
Në Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, asnjë grua nuk ka hyrë në Kuvend me anë të kuotës gjinore.
Kuota gjinore prej 30% u vendos për herë të parë nga UNMIK-u në vitin 2000, përmes një rregulloreje që kërkonte të paktën 30% kandidatë gra në listat zgjedhore. Kjo masë u aplikua në zgjedhjet pasluftës për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë. Më vonë, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i vitit 2008 e institucionalizoi këtë kuotë, ndërsa amendamentet e vitit 2010 e përforcuan atë, duke sqaruar mekanizmat e zbatimit dhe riorganizimin e listave për të siguruar përfaqësimin e gjinisë së nën-përfaqësuar.