Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të hënën, më 2 nëntor, me Marian Benbow Pfisterer, shefen e re të Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në Kosovë. Në takim u diskutuan thellimi i bashkëpunimit, migrimi dhe mundësitë për punësimin e grave.
Sipas njoftimit të Kurtit, Benbow Pfisterer përcolli urimet e IOM-it për formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentes së Republikës së Kosovës. Palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehën gatishmërinë për ta zgjeruar partneritetin në fusha me interes të përbashkët.
Kurti tha se migrimi ka rëndësi për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe ruajtjen e lidhjeve me mërgatën. Ai vlerësoi bashkëpunimin me IOM-in për bashkërendimin e përpjekjeve me vendet e origjinës, tranzitit dhe destinacionit. Sipas tij, kjo qasje synon mbrojtjen e të drejtave të migrantëve dhe vënien në shërbim të zhvillimit të vendit të njohurive, përvojës dhe lidhjeve të fituara përtej kufijve.
Një tjetër temë ishte barazia gjinore dhe përfshirja e grave në tregun e punës. Kurti e njoftoi shefen e re të IOM-it për nisjen e planifikuar të programit “Super Puna për Gratë”, i cili synon të ofrojë mbështetje financiare për punësimin e grave në sektorin privat në Kosovë.
Në përfundim të takimit, Kurti e përgëzoi Benbow Pfisterer për marrjen e detyrës dhe falënderoi IOM-in për partneritetin e deritanishëm me Qeverinë dhe institucionet e Kosovës.