Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim zyrtar me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini. Gjatë bisedës, fokusi u përqendrua te zhvillimet aktuale politike, procesi i integrimit evropian dhe planet për zhvillimin ekonomik të vendit.
Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte aktgjykimi i 16 shtatorit në Hagë, i dhënë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Po ashtu, palët trajtuan rolin e Italisë në mbështetjen e Kosovës për avancimin e statusit të saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian si shtet kandidat.
Kryeministri Kurti njoftoi se me përfundimin e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve, vëmendja është kthyer te programi qeverisës dhe planet e zhvillimit. Nga ana e tij, ambasadori Antonini përcolli urimet për zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.
Në përfundim, Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të Italisë në zhvillimin e Kosovës, si dhe për rolin e saj në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Kryeministri theksoi synimin e qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin me Italinë në të gjithë sektorët me interes të përbashkët, duke përfshirë këtu edhe fushën e sportit.