Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, mbajti fjalim në mbledhjen e parë të Qeverisë Kurti 3, ku tha se ky kabinet, të cilin e zgjodhi vetë, ka potencialin të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës, që shumë shpejt mbush 18 vjet.
Kurti dha një porosi për ministrat: “Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve me nder dhe përkushtim është privilegji që e keni dhe që do ta gëzoni nga këto ulëse këtu”. Ai përmendi mësimet e nxjerra nga mandati i kaluar, përvojën e fituar, si dhe ekspertizën dhe dijet profesionale të anëtarëve të kabinetit si bazë për këtë parashikim.
“Pritjet që qytetarët kanë nga ne janë dëshmi e vetë standardit që e kemi vendosur ne dhe të cilin duhet ta nderojmë e ta përmbushim”, tha Kurti, duke i uruar ministrat për detyrën e re.
Sipas protokollit, mbledhja duhej të ishte ceremoniale, por u kthye edhe në mbledhje pune. Pritet miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe procedimi i projektbuxhetit për këtë vit.
Përditësime
Kuvendi i Kosovës riprocedoi sot Projektligjin për Buxhetin e Vitit 2026.
Zhvillimet kryesore:
- Përfshin pagën e 13-të për punëtorët publikë.
- Rrit shtesën për përvojën e punës nga 0.25% në 0.50% për 15 vitet e para.
Kosova humbi vitin e kaluar Planin e Rritjes së BE-së (882.6 mln euro) dhe tre marrëveshje me Bankën Botërore (mbi 120 mln euro).
Kryeministri Albin Kurti shprehu gatishmërinë për hapat e presidentit pas votimit të buxhetit.