Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është zotuar se Qeveria do të ofrojë mbështetje për avokatët e ekipeve mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në procesin e apelit në Gjykatën Speciale në Hagë. Ky zotim vjen pas vendimit të shkallës së parë, i cili i dënoi ish-udhëheqësit me gjithsej 81 vjet burgim.
Duke iu përgjigjur pyetjes së studentes Anisë Murseli lidhur me strategjinë qeveritare, Kurti vlerësoi se shteti do të kishte pasur hapësirë për një angazhim më të madh nëse të akuzuarit do të kishin një ekip të përbashkët mbrojtës. "Shteti i Kosovës mund të kishte bërë më shumë nëse do të kishte pasur një ekip të përbashkët për të katër liderët e UÇK-së. Por nuk ndodhi kështu", u shpreh kryeministri. Sipas tij, fakti që secili prej liderëve angazhoi ekipin e tij personal e bën bashkërendimin me Qeverinë një proces të ndërlikuar.
Kurti krahasoi qëndrimin e avokatëve të ish-krerëve të UÇK-së me përvojën e tij personale kur përballej me gjykimet nga sistemi i Serbisë dhe UNMIK-ut. Ai theksoi se, ndërsa ai nuk e kishte njohur juridiksionin e atyre gjykatave, avokatët e të akuzuarve aktualë zgjodhën një qasje tjetër, duke besuar se bashkëpunimi me Dhomat e Specializuara do të çonte në një rezultat pozitiv.
Në diskutimin e saj, Anisë Murseli solli si shembull përvojën e Kroacisë pas vitit 2011, kur gjenerali Ante Gotovina u dënua me 24 vjet burgim. Ajo vuri në dukje se Qeveria kroate ishte mobilizuar përmes rritjes së mbështetjes financiare, kryerjes së kërkimeve akademike mbi aktgjykimin dhe angazhimit si palë e interesuar (amicus curiae) për të ofruar prova. Studentja kërkoi qartësi mbi hapat konkretë që po ndërmerr ekzekutivi kosovar, duke nënvizuar se popullata është e shqetësuar nga situata dhe protestat që po zhvillohen në Prishtinë.