Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e pranimit të Komandës së Grupit për Mbështetje Rajonale në Ballkan të Ushtrisë Amerikane, e cila u zhvillua në Kampin Bondsteel në Ferizaj. Gjatë kësaj ceremonie, koloneli Kurt A. Rorvik mori zyrtarisht drejtimin e këtij grupi.
Grupi për Mbështetje Rajonale në Ballkan funksionon nën suazën e Ushtrisë Amerikane për Evropën. Detyra kryesore e tij është ofrimi i mbikëqyrjes teknike, ekspertizës dhe mbështetjes për Komandën Rajonale – Lindje të misionit të KFOR-it.
Në këtë ngjarje u rikonfirmua rëndësia e kontributit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe KFOR-it. Sipas njoftimit zyrtar, roli i tyre mbetet i pazëvendësueshëm për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.