Në ditën e përvjetorit të 18-të të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2026, kryeministri Albin Kurti mirëpriti në Kryeministri presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Gjatë takimit, Bajram Begaj shprehu urimet më të përzemërta për popullin dhe shtetin e Kosovës për 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Ai uroi gjithashtu kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e aspiratave të popullit për mirëqenie e begati, si dhe të objektivave të qeverisë.
Të dy liderët biseduan për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në vend e në rajon, si dhe për rezultatet e marrëveshjeve të deritashme ndërqeveritare. Ata ritheksuan vullnetin e dyanshëm për të zgjeruar sektorët e bashkëpunimit dhe për të thelluar raportin ndërshtetëror.
Kryeministri Kurti falënderoi presidentin Begaj për urimet, për vizitën në Kosovë dhe për takimin në Kryeministri. Begaj është presidenti i parë që Kurti e pret në zyrën e tij në këtë mandat të ri.