Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka përkujtuar përvjetorin e 27-të të masakrës së Izbicës, duke e cilësuar atë si njërën nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë.
Në një shkrim në Facebook, Kurti rikujtoi se më 28 mars 1999 forcat policore dhe ushtarake serbe rrethuan fshatin Izbicë të Skënderaj dhe vendbanimet përreth. Pas plaçkitjes dhe ndarjes së 147 burrave të rinj e pleq nga gratë dhe fëmijët, ata u ekzekutuan. Dy gra të moshuara, të paafta për të lëvizur, u dogjën të gjalla pasi forcat serbe i vunë flakë rimorkios së traktorit ku ndodheshin. Të mbijetuarit u dëbuan me forcë jashtë Kosovës.
Trupat e viktimave u zhvarrosën dhe u fshehën në varreza masive në Kosovë e Serbi, për të zhdukur gjurmët e krimit. Edhe sot ekzistojnë varre të zbrazëta dhe familje që presin drejtësi.
Kurti theksoi se familjarët e viktimave kanë dëshmuar me guxim në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në proceset kundër Slobodan Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë të Serbisë. Plagët e së kaluarës mbeten të hapura për sa kohë autorët e krimeve nuk përballen me drejtësinë.
Sipas Kurtit, Republika e Kosovës ka obligim institucional dhe moral për të vazhduar kërkimin e drejtësisë, ndëshkimin e përgjegjësve dhe nderimin e dinjitetit të çdo viktime.
Përditësime
Kryeministri Albin Kurti dha citatin përfundimtar: „Lavdi martirëve të Izbicës! I paharruar qoftë kujtimi për ta“.