Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, pas takimit të zhvilluar mëngjesin e 14 marsit 2026 me Peter Sorensen, Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, deklaroi se zbatimi i ligjeve për të huajt dhe automjetet do të kryhet në koordinim të ngushtë me emisarin e BE-së dhe serbët lokalë.
Kurti theksoi se qëllimi përfundimtar i këtij procesi të inkorporimit nuk është zvogëlimi i ndonjë të drejte, por fuqizimi i tyre. Sipas tij, asnjë qytetar i Kosovës nuk ka arsye të druhet nga ky proces, por të përfitonte nga benefitet e tij.
Procesi do të zhvillohet në bashkëpunim të vazhdueshëm me Përfaqësuesin Special të BE-së dhe serbët lokalë. Kurti nënvizoi se qytetarët serbë duhet të besojnë në përfitimet nga legalizimi dhe detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e Brukselit dhe korniza ligjore e Kosovës.
Qeveria do të sigurohet që të mos ketë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike në arsim dhe shëndetësi, duke nisur inkorporimin e sistemeve arsimore dhe shëndetësore brenda kornizës ligjore të vendit.
Autoritetet lokale do t’i dorëzojnë Qeverisë listat e stafit akademik dhe shëndetësor të angazhuar në këto shërbime. Këto lista do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të qëndrimit të përkohshme për qytetarët e huaj që aplikojnë në MBB.