Më 1 tetor 2026, Kuvendi i Komunës së Prizrenit zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme, ku u miratua unanimisht një deklaratë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Mbledhja u drejtua nga kryesuesi i Kuvendit, Simir Krasniqi, në prani të anëtarëve të institucionit, monitoruesve dhe përfaqësuesve të mediave. Në dokumentin e miratuar, Kuvendi nënvizon se, ndonëse respekton pavarësinë e gjyqësorit, shpreh mospajtim të thellë me vendimin e datës 16 shtator 2026.
Sipas deklaratës, lufta e UÇK-së cilësohet si një vazhdimësi e luftës për liri, e lindur nga rrethanat e represionit dhe dëbimit të popullsisë shqiptare. Kuvendi rithekson se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shtrihet si përgjegjësi kolektive e luftës së UÇK-së.
Institucioni shprehu solidaritet të plotë me ish-drejtuesit e UÇK-së dhe familjet e tyre, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe veteranëve. Në përmbyllje të deklaratës, Kuvendi i Prizrenit u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe dinjitet, ndërsa adresoi drejtpërdrejt formulimin “Në emër të popullit të Kosovës”, duke dërguar mesazhin: “JO NË EMRIN TIM!”.