Në mbledhjen e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, më 13 tetor, kryetari i tij, Fatmir Xhafaj, i kërkoi kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Dhomës së Avokatisë. Avokatët kanë bojkotuar seancat në shenjë kundërshtie ndaj rregullores së gjykatës.
Xhafaj tha se shqetësimi i Kuvendit nuk është përmbajtja e rregullores, por pasojat e konfliktit për qytetarët dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ai kërkoi që KLGJ-ja dhe palët të diskutojnë nëse rregullorja duhet të mbetet në fuqi apo të përmirësohet. Sipas tij, Kuvendi nuk synon të ndërhyjë në vendimmarrjen e gjykatave, por kërkon zgjidhjen sa më të shpejtë të ngërçit, për të shmangur zvarritjen e proceseve dhe cenimin e së drejtës për proces të rregullt ligjor.
Xhafaj i kujtoi Rusit se KLGJ-ja ishte mbledhur me urgjencë për çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe kërkoi që këshilli të ketë rol proaktiv edhe në këtë rast. Ai sugjeroi që KLGJ-ja të ulet me këshillin e gjykatës dhe avokatët, si dhe të mbajë një qëndrim institucional publik. Xhafaj tha gjithashtu se Kuvendi nuk duhet të qëndrojë indiferent, por se fillimisht duhet të veprojë KLGJ-ja.
Rusi tha se rregullorja është në kompetencën e këshillit të GJKKO-së dhe se kundërshtimet ndaj saj duhet t’i drejtohen gjykatës. Sipas tij, në dijeninë e tij, një grup mediash i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen.
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, kërkoi që Kuvendi dhe institucionet e drejtësisë të nxisin dialogun mes palëve. Ajo tha se konflikti po prek mijëra qytetarë dhe përmendi ish-presidentin Ilir Meta, për të cilin pretendoi se paraqitet në çdo seancë, por se nuk i njihen dhe nuk i llogariten afatet e paraburgimit. Xhixho e cilësoi konfliktin artificial dhe tha se zvarritja e proceseve sjell kosto për buxhetin e shtetit, të pandehurit dhe sistemin e burgjeve.
Deputeti Tedi Blushi pyeti se çfarë do të bëjë KLGJ-ja nëse palët nuk e ankimojnë rregulloren dhe ngriti shqetësimin për zhvillimin e proceseve pa avokatë. Ai pyeti gjithashtu nëse Kuvendi duhet të shqyrtojë ndryshime ligjore. Ivi Kaso kërkoi që KLGJ-ja të evidentojë aktet nënligjore që, sipas tij, duhej të ishin miratuar dhe të sqarojë nëse ato mungojnë apo nuk nevojiten. Rusi përsëriti se kundërshtimet ndaj rregullores duhet të trajtohen nga gjykata.