Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga paraburgimi në lidhje me përplasjen mes Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë (GJKKO) dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Sipas tij, kjo situatë, e paralajmëruar që në fund të korrikut, duhej të ishte parandaluar përmes dialogut dhe ndërhyrjes së institucioneve si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Kuvendi i Shqipërisë.
Meta thekson se presioni i dyfishtë mbi avokatët, si nga GJKKO ashtu edhe nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, cenon të drejtat themelore të qytetarëve për një proces të rregullt ligjor. Ai shton se ky konflikt po shkakton humbje të konsiderueshme financiare për shtetin dhe palët e përfshira, ndërsa po minon besimin publik te sistemi i drejtësisë.
Situata e krijuar ka çuar në anulimin e dhjetëra seancave gjyqësore. Procesi ndaj Ilir Metës dhe Monikës Kryemadhit nuk u zhvillua më 1 tetor për shkak të mungesës së mbrojtësve në kuadër të bojkotit. Gjykata ka caktuar datën 15 tetor për vazhdimin e gjykimit dhe ka vendosur gjoba për avokatët. Gjithashtu, raportohet se në rastin e Metës dhe të kryebashkiakut Erjon Veliaj, gjykata ka pezulluar edhe afatet e paraburgimit si pasojë e moszhvillimit të seancave.