Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, më 17 shtator 2026, në orën 10:00, për të zhvilluar seancën plenare që fokusohet te kontrolli parlamentar dhe legjislacioni. Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të datës 8 shtator 2026 dhe njoftimet e radhës, për t'i hapur më pas udhë pesë interpelancave urgjente.
Në sallën e Kuvendit pritet të jenë të pranishëm për të dhënë llogari ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ministri i Punëve të Brendshme, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu. Këto interpelanca janë kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Po ashtu, në rend dite është përfshirë një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.
Pas përfundimit të interpelancave, deputetët do të shqyrtojnë një agjendë të ngjeshur ligjore prej 10 projektligjesh, ndër të cilët spikat nisma për shtesa dhe ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilin kërkohet shumicë e cilësuar votash. Diskutimet do të përfshijnë gjithashtu:
• Ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën;
• Ratifikimin e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës;
• Ndryshimet në marrëveshjen ndërkombëtare për vajin e ullirit dhe ullinjtë e tavolinës;
• Projektligjet për disenjot dhe kontrollin e shoqërive me ofertë publike.
Në përmbyllje të seancës, Kuvendi do të votojë edhe për ndryshime në përbërjen dhe drejtimin e komisioneve të përhershme, duke përfshirë kryesitë, anëtarësinë dhe listën e anëtarëve zëvendësues.
Përditësime
Seanca plenare nis me miratimin e procesverbalit të datës 8 shtator dhe njoftimet për rendin e ditës. Ministrat Sofjan Jaupaj, Mirela Kumbaro dhe Klodiana Spahiu do t'i përgjigjen interpelancave të kërkuara nga deputetët. Jashtë ambienteve të Parlamentit, një grup qytetarësh po protestojnë për çështje të ndryshme sociale.
Seanca plenare nis zyrtarisht në orën 10:00, me interpelancat e kërkuara nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Policia e Shtetit ka instaluar një perimetër të gjerë sigurie përreth Kuvendit, duke angazhuar qindra forca policore dhe duke bllokuar qarkullimin në rrugët kryesore. Masat vijnë si përgjigje ndaj protestës qytetare të organizuar për të kundërshtuar keqqeverisjen.