Pas një bllokimi të foltores së Kuvendit për rreth 4 orë nga ana e opozitës, seanca plenare u zhvillua pasdite, ku projektligji për Amnistinë Penale u miratua me 84 vota pro. Opozita nuk mori pjesë në procesin e votimit, duke bojkotuar punimet e seancës.
Sipas vendimit të miratuar, do të përfitojnë lirimin e menjëhershëm 466 persona, ndër të cilët 11 gra dhe 1 i mitur. Gjithashtu, 869 të dënuar të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi, mes të cilëve 8 gra dhe 1 i mitur.
Kriteret përfituese
Kriteret për përfitim nga amnistia përfshijnë:
• Burrat që deri më 31 maj 2026 janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vite burg, ose u ka mbetur pa shlyer deri në 3 vite burg.
• Gratë që deri në të njëjtën datë janë dënuar ose u ka mbetur pa shlyer deri në 4 vite burg.
Gjatë seancës, deputeti Agron Shehaj u përjashtua nga Kuvendi për shkak se pengoi procesin e votimit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhej i pranishëm në sallë. Pas njoftimit për përjashtimin, Shehaj vijoi të qëndrojë në sallë duke drejtuar akuza ndaj qeverisë.