Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, një reformë që synon përshtatjen e legjislacionit me zhvillimet teknologjike dhe institucionale. Ligji i mëparshëm, i cili ishte në fuqi prej gati dy dekadash, nuk u përgjigjej më kërkesave aktuale të tregut të librit dhe nevojave të shoqërisë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se ky akt ligjor e sheh librin si një investim strategjik kulturor dhe arsimor. Sipas tij, fokusi kryesor i ligjit është nxitja e leximit si një vlerë shoqërore, duke forcuar rolin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në hartimin dhe zbatimin e politikave kombëtare në këtë sektor.
Disa nga risitë kryesore të ligjit përfshijnë:
• Njohjen ligjore të librit në format digjital.
• Garantimin e fondeve të dedikuara për blerjen e titujve në bibliotekat publike të njësive të vetëqeverisjes vendore.
• Mbështetjen për botimin e librave në formate të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.
• Krijimin e një ekosistemi më të favorshëm për autorët, përkthyesit dhe botuesit.
Sipas ministrit Gonxhja, ky ligj nuk duhet konsideruar thjesht si një përditësim teknik, por si një qasje e re që synon të zgjerojë aksesin në dije për të gjithë qytetarët dhe të ndërtojë një kulturë leximi të qëndrueshme.