Më 12 mars, Kuvendi me 82 vota të mazhorancës rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut, zv/kryeministres së shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur nga drejtësia.
Menjëherë pas votimit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, publikoi një video nga salla plenare në rrjetin social Facebook. Ajo deklaroi se një sallë, e përdorur për të ngritur një sistem të pandershëm, votoi për të mbrojtur korrupsionin dhe sistemin. Sipas saj, "Shqipëria ndodhet në udhëkryq mes Evropës dhe korrupsionit".
Tabaku akuzoi mazhorancën se ka kthyer Parlamentin në një "noter" të vendimeve që favorizojnë interesa të veçanta ekonomike për 14 vjet me radhë. Ajo përmendi favore fiskale, koncesione, porte dhe aeroporte, të miratuara me ngritje kartonash.
Deputetja demokrate vlerësoi se ky sistem ka dëmtuar ekonominë shqiptare, ka zvogëluar meritokracinë dhe ka rritur emigrimin, pasi të rinjtë nuk shohin mundësi në vend. Ajo shtoi se votimi i fundit jep mburojë politike abuzimeve me pushtetin dhe tregon se sistemi mbron vetveten.
Tabaku paralajmëroi se vendi është në një moment vendimtar për demokracinë dhe integrimin europian, ku testohet balanca e pushteteve.