Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi se Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë në seancën e së enjtes ndryshimet në ligjin "Për Turizmin". Kjo nismë synon rritjen e standardeve në zonat turistike dhe mbrojtjen e interesit të pushuesve.
Sipas projektligjit, ndalohen proceset e ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike dhe pranë strukturave akomoduese. Kjo masë vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve për zhurmat e makinerive të betonit dhe punimet që pengojnë pushuesit. Balla theksoi se aty ku bashkitë nuk kanë arritur ta zgjidhin këtë problem me vendimet e tyre, çështja do të rregullohet me ligj.
Një tjetër ndryshim thelbësor është garantimi i aksesit të lirë në plazhe. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, çdo subjekt që administron një stacion plazhi do të ketë detyrimin të sigurojë kalimin e lirë dhe të pandërprerë të qytetarëve drejt bregut të detit, si dhe lëvizjen përgjatë vijës bregdetare.
Projektligji ndalon në mënyrë kategorike vendosjen e gardheve, mureve, barrierave apo çdo pengese tjetër fizike, të përhershme ose të përkohshme, që kufizon aksesin e qytetarëve. Kjo masë synon t'i japë fund përfundimisht praktikës së bllokimit të hyrjeve në plazhe, duke garantuar të drejtën e çdo qytetari për akses të lirë në bregdet.
Përditësime
Ministri Taulant Balla prezantoi përmes një videomesazhi nismën e re ligjore, e cila garanton akses të lirë në vijën bregdetare dhe ndërmjet hapësirave publike të plazheve. Kuvendi i Shqipërisë do ta shqyrtojë projektligjin në seancën plenare të ditës së nesërme.