Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të stërvitjes së përbashkët midis forcave speciale të Policisë së Shtetit, RENEA dhe njësive elitare të policisë greke EKAM.
Në fjalën e tij, Lamallari vlerësoi rolin e RENEA-s, duke e cilësuar atë si simbol të disiplinës, kurajos dhe sakrificës në shërbim të qytetarëve për vite me radhë. Ai theksoi se efektivët e kësaj force ndodhen në vijën e parë të përballjes me situata të vështira, nga lufta kundër krimit të organizuar deri te kërcënimet terroriste dhe rreziqet që cenojnë jetën e qytetarëve.
Ministri deklaroi se bashkëpunimi mes dy njësive speciale nuk kufizohet te trajnimi i përbashkët, por përfshin shkëmbim përvoje dhe ndërtim besimi mes policive. "Ky trajnim është shumë më tepër se një stërvitje. Është bashkëpunim, ndarje përvoje dhe një besim që rritet mes jush, duke dëshmuar se Policia e Shtetit dhe policia greke mund të fuqizojnë më tej bashkëpunimin për të adresuar sfidat e përbashkëta", tha ai.
Lamallari nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve midis Tiranës dhe Athinës në fushën e sigurisë, duke e cilësuar bashkëpunimin si thelbësor jo vetëm për dy vendet, por edhe për stabilitetin e rajonit. Sfidat si krimi i organizuar, terrorizmi dhe krimet transnacionale kërkojnë bashkëpunim të ngushtë, veçanërisht në kontekstin e integrimit europian. Ai përmendi progresin e ndjeshëm të Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe rolin dinjitoz të Policisë së Shtetit në platformën europiane të njësive speciale ATLAS Network.
Ministri shprehu angazhimin për të forcuar bashkëpunimin me homologët grekë, duke e parë atë si garanci për sigurinë e qytetarëve në të dy vendet dhe rajon. Ai falënderoi efektivët e RENEA-s dhe kolegët grekë për shërbimin e tyre të përditshëm.