Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi të martën një interpelancë të kërkuar nga deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, lidhur me gjendjen në institucionet e vuajtjes së dënimit. Në qendër të debatit ishte situata e ish-presidentit Ilir Meta, aktualisht i paraburgosur në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Jordan Misja.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, iu përgjigj akuzave duke hedhur poshtë pretendimet për trajtim çnjerëzor, persekutim politik apo shkelje të lirisë së shprehjes. Ai theksoi se raporti i Avokatit të Popullit nuk përdor në asnjë moment termin "çnjerëzor" për trajtimin e Metës dhe se të gjithë të paraburgosurit trajtohen në mënyrë dinjitoze e të barabartë para ligjit.
"E kuptoj që do vëmendje të veçantë për të paraburgosurin Meta. Ne jemi njohur me raportin e Avokatit të Popullit. Raporti i Avokatit të Popullit është nën hetim. Nuk ka hetim administrativ te IEVP Jordan Misja. Nuk ka persekutim politik, pretendimet janë të pabazuara dhe nuk kemi një cënim të shprehjes ku kemi një balancë", u shpreh Lamallari.
Sa i përket lirisë së shprehjes, ministri sqaroi se raporti, në faqen 22, thekson se përdorimi i saj duhet të bëhet në përputhje me nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Avokati i Popullit nuk promovon gjuhën e urrejtjes, të ashpër, fyese apo denigruese në media, por imponon detyrimin për përdorim të përgjegjshëm.
Lamallari tha se Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve janë njohur me rekomandimet përgjithësuese të raportit, të cilat po analizohen për përmirësim sistemik. Nuk konstatohen shkelje administrative ndaj personelit të IEVP Jordan Misja, prandaj nuk ka bazë për përgjegjësi disiplinore apo penale. Pretendimet për "burg politik" nuk qëndrojnë sipas analizës së informacioneve.