Lara Colturi, skiatorja shqiptare, u rendit në vendin e 16-të në disiplinën e slalomit gjigant të Lojërave Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026, të zhvilluara më 15 shkurt 2026.
Në lëshimin e parë, ajo arriti kohën më të mirë deri në atë moment dhe u pozicionua e katërta, duke emocionuar mbështetësit shqiptarë. Në lëshimin e dytë, Colturi gaboi në disa porta, humbi kohë të vlefshme dhe nuk mundi të ruajë pozicionin e favorshëm në renditjen përfundimtare.
Menjëherë pas garës, në një intervistë ekskluzive për RTSH, sportistja tregoi emocionet e saj:
“Është e vërtetë që bëra një lëshim të parë fantastik dhe këtë nuk e kuptova derisa arrita në fund të pistës. Aty kuptova që kisha bërë kohën më të mirë deri në atë moment. Nuk bëra mirë në lëshimin e dytë, dhe nuk e di ende se faji i kujt ishte, i pistës apo i skive. Megjithatë ndjehem shumë mirë mendërisht dhe shpresoj të jap më të mirën time në garën e ardhshme në disiplinën slalom. Do të mundohem të shtyj fort që të arrij një rezultat të mirë. Ndihem shumë mirë që marr pjesë në këtë Olimpiadë dhe më gëzon fakti që ka kaq shumë njerëz që më mbështesin. Jam e lumtur për faktin se sporti i skive po bëhet popullor në Shqipëri.”
Colturi premtoi përmirësim në garën e radhës të slalomit, të parashikuar për më 18 shkurt. Gara transmetohet ekskluzivisht nga Radio Televizioni Shqiptar.