Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, bashkë me strukturat e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe familjarët, kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të Komunës së Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova.
Homazhet u zhvilluan në 4-vjetorin e vdekjes së tij.
Në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja, Haki Rugova kujtohet si personalitet dhe veprimtar i dalluar i partisë, njeriu që qe shembull i përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës.
Ai shërbeu si nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i Komunës së Istogut. Angazhimi i tij ishte i pandalshëm në proceset e vështira të Kosovës, ku qëndroi i palëkundur në veprimtarinë atdhetare e politike për më shumë se tre dekada.
LDK-ja e përshkruan atë si model të njeriut të urtë e punëtor, të afërt dhe bashkëpunues. Njoftimi përfundon me fjalët: "Lavdi jetës dhe veprës së Haki Rugovës. I përjetshëm kujtimi për të!".