Naim Krasniqi, aktivist i njohur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kontribues në sektorin e bujqësisë, ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka bërë të ditur deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila e ka përshkruar atë si mik të përkushtuar, familjar të respektuar dhe profesionist të çmuar. Ajo shkroi se Krasniqi ka qenë kryetar nëndegë në parti para disa vitesh dhe e kujton për angazhimin e tij të palodhshëm.
"Herët na paska lënë Naim Krasniqi. Naimin e kam pasur kryetar nëndegë para disa viteve, e kujtoj si sot angazhimin dhe kontributin e tij për LDK-në. Ai përveçse aktivist i palodhshëm ishte familjar i përkushtuar, mik i vërtetë dhe profesionist i respektuar", thuhet në postimin e Bajramit.
Ajo theksoi se Krasniqi, përveç rolit në LDK, do të kujtohet për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, ku puna e tij ka lënë gjurmë të rëndësishme. Sipas burimeve, ai ishte themelues i Fondacionit AgroDev Kosovo, përmes së cilës kishte ndihmuar sektorin bujqësor.
Bajrami shprehu ngushëllimet e saj të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Krasniqin.