Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar se Ramush Haradinaj po angazhohet për të qenë kandidati konsensual i partive opozitare për postin e presidentit të Kosovës.
Ai ka thënë se Haradinaj është në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Megjithatë, Lekaj shton se nuk ka informacion të saktë për ecurinë e këtyre bisedimeve lidhur me zgjedhjen e të parit të vendit.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para kësaj date, pra deri më 4 mars 2026.
Lekaj thekson se Kosovës i nevojitet një president konsensual dhe se AAK është e gatshme të kontribuojë me figurën e Haradinajt ose me ndonjë marrëveshje tjetër. Ai vlerëson se është koha e duhur për unifikimin e opozitës rreth një kandidati të përbashkët.
Sa i përket Osmanit, e cila ka shprehur ambicie për një mandat të dytë, Lekaj thotë se gjashtë deputetët e AAK-së nuk do ta mbështesin atë. Ai dyshon edhe në mbështetjen e sigurt nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i cili ka fituar 57 deputetë në zgjedhjet e fundit. Derisa nuk ka marrëveshje të qartë dhe vazhdon kokëfortësia e Kurtit, Lekaj konsideron se të gjitha opsionet mbeten të hapura.